Ish-mbrojtësi i Liverpool-it, Jose Enrique thotë se ai do të preferonte të kishte yllin e Evertonit, Dominic Calvert-Lewin në skuadrën e “The Reds” sesa Darwin Nunez.
Uruguaiani ka shënuar katër gola dhe ka regjistruar tre asistime deri më tani këtë sezon, por nuk ka arritur të gjejë rrjetën në tre ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Sulmuesi i Evertonit, Calvert-Lewin, ndërkohë, ka shënuar tre herë në gjashtë ndeshje.
Të dy do të shkojnë ballë për ballë kur Liverpool do të presë “Toffees” në derbin e parë të “Merseyside” të sezonit dhe ish-lojtari i Liverpool-it Jose Enrique beson se është Calvert-Lewin ai që duket më shumë si një sulmues i klasit botëror.
“Natyrisht, tifozëve të Liverpool-it nuk do t’ju pëlqejë ta dëgjojnë këtë nga unë, por me Darwin Nunez dhe Dominic Calvert-Lewin plotësisht të gatshëm për lojë, mendoj se do të merrja Calvert-Lewin,” tha ai për Grosvenor Sport.
“Njerëzit duket se harrojnë se sa i mirë është Calvert-Lewin kur është plotësisht në formë, ai është një lojtar i shkëlqyer”.
Tutje, Enrique thotë se ka dyshimet e tij edhe në momentet kur Nunez arrin të shënojë gola për ekipin e Liverpoolit.
“Edhe kur Darwin Nunez shënon gola për Liverpoolin, unë ende kam dyshimet e mia për të si lojtar nën drejtimin e Jurgen Klopp. Unë e dua atë dhe mendoj se do të bënte mirë për shumë skuadra të tjera që luajnë futboll me kundërsulme. Ai është i jashtëzakonshëm për këtë stil të lojës, por për një ekip që bën presion shumë si Liverpooli, nuk jam aq i sigurt”, përfundoi 37-vjeçari.
Liverpool dhe Everton do të takohen në “Anfield” në Ligën Premier këtë të shtunë në kuadër të javës së tetë./Telegrafi/