Ish-kryetarja e Bashkisë Libohovë, Luiza Mandi u dënua sot nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me një vit burg “për shpërdorim detyre”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 8 muaj burgim.
Sipas Gjykatës së Posaçme, Mandi i ndalohet për pesë vjet të ushtrojë edhe funksione publike.
Hetimet nga Prokuroria e posaçme u kryen pas denoncimit të një qytetari nga Libohova se në pronat e familjarëve të tij ishin shkaktuar dëme nga një projekt zhvillimi, kryer nga bashkia për zgjerimin e rrugës.
Prokuroria gjatë hetimeve sekuestroi projektin dhe konstatoi se ishte cenuar prona private, pasi nuk ishte zbatuar procedura e shpronësimit, dhe kishte shkaktuar dëm ekonomik ndaj qytetarit rreth 360.000 lekë.
Luiza Mandi, e cila drejtoi bashkinë Libohovë për dy mandate të fituara në zgjedhjet 2015 dhe 2019 si përfaqësuese e Partisë Socialiste, ndodhet jashtë Shqipërisë dhe është hetuar në gjendje të lirë.