Telegrafi

Ish-kryeministri slloven kritikon Parlamentin e Sllovenisë për mos hetim të rastit ku përfshihet ambasadori Berishaj

Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka kritikuar Parlamentin slloven për mos hetim të një skandali financiar dhe dyshimeve për korrupsion, që lidhen me kompaninë furnizuese energjetike GEN-i.

Jansha ka thënë se shkaku i kompanisë GEN-i, Sllovenia është në kryetitujt e mediave jashtë vendit.

“Me sa duket, të gjitha parlamentet në Ballkan do të krijojnë komisione hetimore për dyshimet për korrupsion në lidhje me GEN-i dhe jo Asamblenë Kombëtare Sllovene”, ka shkruar Jansha në Tëitter, transmeton Telegrafi.

Ai kë thënë se “që nga muaji maj kot i presim 3 nënshkrimet e premtuara të koalicionit Nova Slovenija”.

Skandali i dyshimtë financiar ishte raportuar nga mediumi slloven, Planet TV, në të cilin përflitet si i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Berishaj dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

U raportua se Golob po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të disa transaksioneve financiare nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven, GEN-I, të cilat kishin për adresë kompaninë “MB Consulting” të Martin Berishajt në Mal të Zi.

Partitë opozitare në Kosovë ka kohë që po kërkojnë shkarkimin e Berishajt. Megjithatë, ai ka marrë mbështetje nga pushteti. /Telegrafi/