Ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, është liruar me kusht nga burgu, pasi aty i ka kaluar 16 muaj, lidhur me akuza për korrupsion dhe të tjera.
Lirimi i sotëm i tij u bë pasi një bord për lirim me kusht konstatoi se ai duhet të lirohet për sjellje të mirë, meqë në burg i kaloi 16 muaj, nga dënimi i tërësishëm prej 27 muajve.
Zoti Olmert nuk ka folur me gazetarë pasi u lirua nga burgu Masijah, afër kryeqytetit, Tel Aviv.
Ehud Olmert, 71 vjeçar, që ishte kryeministër në periudhën 2006 – 2009, ishte në mesin e 8 ish-zyrtarëve dhe biznesmenëve, të dënuar në mars të vitit 2014, në një rast korrupsioni me pasuri të patundhsme.
Në shtator të vitit 2016 ai është dënuar me tetë muaj burg shtesë, lidhur me akuza se e kishte marrë një zarfë përplot me para të gatshme nga një biznesmen amerikan, në këmbim për përfitime politike gjatë mandatit të tij si kryetar i qytetit të Jerusalemit, në periudhën 1993 – 2003.
Ehud Olmert gjithnjë është shprehur se është i pafajshëm, ndërsa akuzat kundër tij i ka vlerësuar si “gjueti brutale dhe e pamëshirshme e shtrigave”.