Site icon Telegrafi

Ish-komandanti i FSK-së, Kastrati: Të arrestohen të gjithë ata që morën pjesë në sulmet në veri

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, e vlerëson se situata në veri të vendit është e rëndë. Sipas tij, Policia e Kosovës nuk duhet të zmbrapset deri në arrestimin e të gjithë serbëve që kanë marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Gjeneral Kastrati thekson se duke marrë parasysh praninë e trupave paqeruajtëse, nuk pritet përshkallëzim i situatës pas aksionit të sotëm.

“Situata në veri është mjaft e tensionuar, ka qenë të hënën e kaluar, para një jave e më tepër ka qenë shumë kritike sepse sipas disa informacione që kanë dalë, serbët kanë qenë të përgatitur edhe për të vrarë policë të Kosovës dhe KFOR-i ka pasur këto informacione dhe për këtë arsye ka dalë në vijë të parë, kur janë lënduar mbi 30 pjesëtarë të KFOR-it. Për këtë arsyeje sepse KFOR-i në situata të jashtëzakonshme ka edhe mision qe të jetë reagues i parë, të jetë përgjegjësi kryesor për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në gjithë territorin e Kosovës, e posaçërisht në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Është situatë mjaft e rëndë, Policia e Kosovës në asnjë moment nuk duhet të zmbrapset, që t’i arrestojë të gjithë ata që janë identifikuar që kanë marrë pjesë në sulmin e asaj të hëne”, thotë Kastrati, për Kosovapress.

Kastrati shton se serbët në veri po rezistojnë ndaj aksioneve të Policisë me qëllim që mbrojnë kriminelët.

“Çdo herë e kemi parë edhe në të kaluarën që çdo herë kur Policia e Kosovës është munduar që të shtrijë ligjin në gjithë territorin e Kosovës, e posaçërisht në atë pjesë, kanë hasur në rezistencë. Ata dalin dhe mbrojnë, sepse krimineli e mbron kriminelin. Dhe gjithë këta kriminelë kanë jetuar si në ‘bahqen e babës’, kanë bërë kontrabanda, janë marrë me gjithë ato sene që nuk janë ligjore për tu pasuruar dhe normalisht që atyre u prishet ajo rehati dhe ata kanë rezistuar çdo herë. Ata janë të përkrahur nga vet presidenti Vuçiq në Beograd dhe nga strukturat politike të Serbisë dhe janë të mbrojtur. Unë kam informacione që këtu kanë qenë të implikuar edhe njerëzit e BIA-s edhe ish-policisë që kanë eksperiencë të jashtëzakonshme në luftërat e ish-Jugosllavisë, kemi dy njerëz në burg, njeri ka qenë në luftë në Koshare, njëri ka qenë serb i Sllovenisë, tjetri serb i Bosnjës”, shton Kastrati.

Sipas tij, nuk do të ketë përshkallëzim të situatës në komunat veriore, për shkak të pranisë së trupave paqeruajtëse.

“Unë mendoj që nuk do të ketë përshkallëzim, kjo është e çastit, e momentit, është arrestuar një kriminel atje. KFOR-i e ka marrë shume seriozisht, i ka sjell 500 trupa të njësive elite të Turqisë, njësi me eksperiencë të jashtëzakonshme, sidomos në luftërat dhe konfliktet urbane. Ata do të stacionohen atje dhe një batalion rezervë është në gjendje gatishmërie që mund të vije kurdo që kërkohet”, përfundon ai.

Ai kërkon nga institucionet që veprimet të jenë të koordinuara me KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Gjatë ditës së sotme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkoviq- Llune. Gjatë arrestimit janë lënduar tre zyrtarë policor. /kp/

Exit mobile version