Telegrafi

Ish-kampioni i botës uron Kristjan Asllanin për kualifikim në Euro 2024 në gjuhën shqipe

Kualifikimi i Shqipërisë në “Euro 2024” ka sjellë festën e menjëhershme të lojtarëve kuqezi, të cilën e nisën nga fusha edhe e vazhduan deri në hotel.

Në një video live të hapur në “Instagram” nga Kristjan Asllani, kohë për të uruar mesfushorin ka gjetur dhe kampioni i Botës me Francën, Benjamin Pavard, i cili në gjuhën shqipe e uroi Asllanin për kualifikimin në Evropian.

“Hajde gëzuar”, ishin fjalët e përdorura nga mbrojtësi francez në drejtim të mesfushorit shqiptar.

Asllani dhe Pavard janë bashkëlojtar tek Interi, teksa kujtojmë që ky i fundit ishte bërë pjesë e zikaltërve në afatin kalimtar veror për shumën e 30 milionë eurove.

Lexo po ashtu SHQIPËRIA NË EURO 2024 - Kuqezinjtë barazojnë në Moldavi, festa shqiptare fillon

Për Pavard kjo ishte eksperienca e tij e parë në Itali, ndërsa më herët ka luajtur në Francë për ekipin e Lille, ndërkohë në Gjermani u paraqit fillimisht për Stuttgartin para se të kalojë tek Bayerni.

Asllanin do ta shohim në aksion përsëri të hënën, kur kombëtarja e Shqipërisë do të jetë nikoqire e Ishujve Faroe, sfidë kjo që do të luhet vetëm për prestigj dhe për të festuar me tifozët kuqezi./Telegrafi/