Tekniku spanjoll, Luis Enrique ka marrë kritika të mëdha nga një ish-lojtar i Barcelonës dhe kampion bote, për shkak të çasjes së tij në ndeshjen ndaj Newcastle United në Ligën e Kampionëve.
Bëhet fjalë për Christophe Dugarry, ish-futbollisti francez i cili është paraqitur në shtatë ndeshje me fanellën e Barcelonës në vitin 2007.
Ai pati kritika mjaft të ashpra për trajnerin e PSG-së pas humbjes së rëndë me rezultat 4-1 në Ligën e Kampionëve ndaj Newcastle United në “St-James Park”.
“Luis Enrique bëri gabime… gabime”, ka thënë Dugarry në një intervistë për “RMC SPORT”, duke u bërë personi i radhës që kritikon Enriquen për përpjekjet e tij për të zbatuar sistemin 4-2-4 në fushë.
“Luis Enrique, unë e njoh atë. Unë isha në Barcelonë me të. Luis Enrique ka një krenari të madhe dhe një ego të tepruar”, tha ish-sulmuesi i ekipeve të njohura si, Milan, Barcelona, Olympique de Marseille.
Christophe Dugarry, i cili fitoi Kupën e Botës 1998 dhe Euro 2000 me Francën, bëri me dije se Enrique me çdo kusht tenton të imponojë teoritë e tij dhe se ai do t’i shkojë deri në fund.
“Luis Enrique do të vdesë me idetë e tij. Unë mendoj se ai është duke humbur potencialin e vërtetë të ekipit të tij”, u shpreh Dugarry.
“PSG po vjen nga një sezon i vështirë, ata humbën Messin, Neymar… Ata blenë lojtarë të mirë, jo yje. Ata luajnë në Newcastle në një stadium plot zjarr dhe luajnë me katër sulmues. Lojtarët e Newcastle duhet t’i kenë thënë vetes: “Ata mendojnë se ne jemi plehra. Ne do t’i shkatërrojmë ata”, dhe kështu ndodhi. Trajneri (Luis Enrique) e mori Newcastlen sikur të lehtë”, përfundoi Dugarry.
Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp, Enrique i qëndroi mbrapa vendimeve të tij, duke thënë para gazetarëve se sistemi me katër sulmues ishte vendimi më i mirë.
“Unë ende mendoj se sistemi me katër sulmues ishte vendimi më i mirë. Unë jam trajneri, unë vendos”, kishte thënë 53-vjeçari.
Përkundër humbjes, francezët vazhdojnë në pozitën e dytë në grupin F me tri pikë të tubuara, teksa ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve do ta luajnë si vendas ndaj Milanit./Telegrafi/