Site icon Telegrafi

Ish-gjimnazi që u dogj në Ferizaj kishte nisur të rinovohej, reagon komuna: Do ta mbrojmë objektin

Objekti i ish-gjimnazit të vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj u përfshi nga zjarri masiv në orët e para të mëngjesit të së martës.

Komuna e Ferizajt përmes një reagimi publik ka deklaruar se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, i cili përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore.

I njëjti objekt bëhet e ditur se të hënën e 13 marsit, ka nisur të rinovohet tërësisht nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Lexo po ashtu Zjarri në ish gjimnazin “Ismail Qemali”, deputeti i LVV: Krimi i organizuar dëshiron që ta shlyejë historinë e Ferizajt

“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, objekti i ish Gjimnazit të Vjetër në Ferizaj, u përfshi nga zjarr masiv, duke shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, objekt ky që përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore e që së fundmi, pikërisht dje më 13.03.2023, nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nisën ndërhyrjet e para për renovimin e tërësishëm të objektit”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Lexo po ashtu Pamje nga djegia e ish-gjimnazit “Ismail Qemali” në Ferizaj

Tutje, Komuna e Ferizajt ka thënë se përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Shërbimit të Zjarrfikjes, me të marrë informatën ka dal në vendngjarje duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, me gjithë kapacitetin e plotë, për të shuar zjarrin.

“Komuna e Ferizajt, kërkon nga organet hetimore, organet e ndjekjes dhe gjyqësore që të zhvilloj hetim të tërësishëm të rastit dhe që shkaktarët e zjarrit të bëhen publike për qytetarët”, thuhet mes tjerash.

“Ky objekt përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore të Ferizajt, andaj Komuna e Ferizajt me gjithë kapacitetin e saj e kompetencën ligjore, do ta mbroj këtë objekt për t’ia ofruar publikut, pas punës restauruese që do të ndodh në këtë objekt”, përfundon reagimi i komunës. /Telegrafi/

Exit mobile version