Site icon Telegrafi

Ish-gazetarja kosovare tregon bisedën e burrit të saj gazetar me ekipin e AP-së pas sulmit në Gaza

Ish-gazetarja kosovare, Garentina Kraja, që jeton në Izrael ka rrëfyer për një moment shumë emocional që e ka përjetuar pas sulmit ajror të Izraelit që rrafshoi objektin ku gjendeshin zyrat e Associated Press dhe Al Jazeeras në Gaza.

Ajo ka thënë se ishte e shtangur derisa po e dëgjonte bashkëshortin e saj, gazetarin Nebi Qena që punon për Associated Press, derisa po komunikonte me ekipin e tij pas këtij sulmi.

“Jam e mpirë derisa po dëgjoj burrin tim, Nebi Qena, duke i treguar ekipit të tij se do të rindërtojnë gjithçka pak minuta pasi zyret e Associated Press në Gaza ku qëndronte ekipi i tyre i mrekullueshëm janë shkatërruar nga një sulm ajror i Izraelit”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ndërtesa shumëkatëshe në Gaza, ku gjendeshin zyrat e mediumeve Associated Press dhe Al Jazeera, është shembur pas sulmeve ajrore nga Izraeli.

Mediumi Associated Press tha të shtunën se janë të “shokuar dhe tmerruar” nga sulmi izraelit në ndërtesën ku gjendeshin zyrat e AP-së si dhe të mediumit tjetër Al Jazeera në Gaza.

AP tha se ishte paralajmëruar për sulmin, gjë që i mundësoi të evakuojë gazetarët me kohë. Ndërsa Al Jazeera tha se nuk do të hesht pas sulmit.

“Është e qartë se ata që po bëjnë këtë luftë nuk dëshirojnë vetëm të përhapin shkatërrim dhe vdekje në Gaza, por edhe të heshtin media që dëshmojnë, dokumentojnë dhe raportojnë të vërtetën e asaj që po ndodh në Gaza,” tha Walid al -Omari, shefi i byrosë së Al Jazeera-s në Jerusalem.

“Por kjo është e pamundur”, tha ai.

Izraeli pretendoi se “aeroplanët luftarakë sulmuan një ndërtesë shumëkatëshe e cila strehonte asete ushtarake që i përkisnin inteligjencës ushtarake të organizatës terroriste Hamas”.

“Ndërtesa gjithashtu kishte zyra të mediave, të cilat grupi terrorist Hamas i përdorte si mburoja njerëzore”, tha ushtria izraelite. /Telegafi/

Exit mobile version