Telegrafi

Ish-doktori i Real Madridit pretendon se Ronaldo nuk ka qenë sportisti më i madh me të cilin ka punuar

Një ish-doktor i Real Madridit ka pranuar se Cristiano Ronaldo nuk ka qenë sportisti më i madh me të cilin ai ka punuar ndonjëherë.

Ronaldo momentalisht është pjesë e Al Nassr në Arabinë Saudite dhe nuk ka shfaqur ndonjë shenjë plakjeje, ndonëse karriera e tij magjepsëse po shkon drejt fundit.

Legjenda portugeze i cili ka qenë golashënuesi më i mirë në botë në të gjitha ligat në 2023, ka mbetur në një gjendje fizike perfekte.

Sidoqoftë, ish-doktori i Real Madridit, Jesus Olmo, i cili ka punuar nga afër me Ronaldon në “Santiago Bernabeu”, beson se njëri nga ish-bashkëlojtarët e Ronaldos ishte një atlet më i kompletuar.

Lexo po ashtu Messi apo Ronaldo? Hazard ‘injoron’ të dytë kur zgjedh më të mirin në histori

“Me shumë mundësi atleti më i mirë që kam parë ndonjëherë është Gareth Bale”, ka thënë Olmo për revistën spanjolle Ideal.

“Ai është një atlet natyral, i cili është në gjendje të shkëlqejë praktikisht në çdo sport. Ai ka karakteristika të pazakonta gjenetike dhe aftësi atletike, po ashtu edhe aftësi teknike do të thoja”.

“Ai është i vetmi i cili më ka mahnitur mua në të gjitha aspektet, ani pse aty pastaj ka të bëjë edhe me performancën në fushë, e cila varet nga rrethana të ndryshme”, është shprehur Olmo.

Aftësitë e jashtëzakonshme fizike të Bale duke marrë parasysh edhe shpejtësinë e tij të madhe, ishin ato që e karakterizuan atë më së shumti si futbollist dhe që i ndihmuan të jetë një makth për mbrojtësit kundërshtar./Telegrafi/