Ish i dashuri i Bobbi Kristina Brown, u shpall përgjegjës për vdekjen e saj në vitin 2015 nga një gjykatës në Xhorxhia, pasi ai zgjodhi të mos paraqitej në seancë.
Një juri do të përcaktojë tani masën e dënimit për Nick Gordonin, për rolin e tij në vdekjen e vajzës së vetme të këngëtares së ndjerë Whitney Houston dhe Bobby Brown.
Bobbi Kristina, aspirante për këngëtare, u gjet pa ndjenja në vaskën e shtëpisë se saj në Atlanta në janar të 2015-s dhe ndërroi jetë pas 6 muajsh në koma. Autopsia zbuloi intoksikim nga droga dhe përcaktoi se zhytja e fytyrës së saj në ujë kishte kontribuar për vdekjen, transmeton Top Channel.
Të afërmit e vajzës akuzuan Gordonin për vrasjen e 22-vjeçares, pasi i kishte dhënë asaj një miksim toksik drogërash dhe e kishte rrahur, e gjithashtu për vjedhjen e parave nga llogaria bankare, ndërsa ajo ishte në koma.
I riu mohon pretendimet dhe thotë se ishte përpjekur të shpëtonte jetën e Brown.
Vdekja e Bobbi Kristinës ndodhi 3 vjet pasi nëna e saj, ikona e muzikës Whitney Houston u gjet pa jetë në vaskën e një hoteli në Beverly Hills në moshën 48-vjeçare. Autoritetet përcaktuan se abuzimi me kokainën dhe problemet me zemrën kishin kontribuar në vdekjen e saj më 11 shkurt të 2012-ës.