Site icon Telegrafi

Ish-banorja e BBVA 1, Antonela Berisha shpallet në kërkim nga policia – dyshohet se me motrën sulmuan barbarisht modelen Klea Prenga

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në një restorant në kryeqytet, ku një vajzë është sulmuar brutalisht teksa ishte duke ngrënë darkë. Viktima, e identifikuar si Klea Prenga, ka denoncuar publikisht përmes pamjeve dhe emrave se ka qenë viktimë e një sulmi të dhunshëm.

Sipas dëshmisë së Klea Prengës, ajo është goditur papritur nga pas, ku një person i ka thyer një shishe qelqi në fytyrë. Ajo ka akuzuar për këtë sulm dy motra, Mariela dhe Antonela Berisha, ku kjo e fundit është e njohur për publikun. Në denoncimin e saj, Klea ka ndarë me publikun momentet tronditëse të dhunës dhe dëmtimet që ka pësuar si pasojë e këtij akti.

Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë pas ngjarjes, duke njoftuar se është duke punuar intensivisht për lokalizimin e të dyshuarave. Antonela Berisha, 28 vjeçe, dhe Mariela Berisha, 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim. Autoritetet janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të sjellë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë akt të dhunshëm.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punojnë për lokalizimin e shtetaseve A. B., 28 vjeçe, dhe M. B., 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal. Këto dy shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., 24 vjeçe”,– njofton policia, sipas TCH.

Foto: Klea Prenga/Instagram

Ndërkohë, ky është reagimi i bërë nga modelja Klea Prenga në Instagram, duke treguar se si ka ndodhur ngjarja:

“Të martën, rreth orës 21:30, teksa isha duke ngrënë qetësisht në një restorant në Tiranë, u përballa me një sulm të papritur dhe të dhunshëm. Dikush më goditi nga pas dhe më theu një gotë në fytyrë ndërsa po haja. Dëmtimet janë të rënda dhe kam shpëtuar për një qime. Tronditja e asaj nate është e paimagjinueshme.

Sulmi u krye nga Mariela Berisha dhe Antonela Berisha.

As ato dhe askush tjetër nuk mund ta shkatërrojë fytyrën dhe imazhin tim. Më vjen keq për to, sepse e tyrja është e shkatërruar me kohë. Nga anët tona as hasmi nuk goditet duke ngrënë. Po të ishe aq gangstere sa të duket vetja, do më kishe ardhur përballë.

Sa për mesazhin kërcënues që ke dërguar pasi ke kryer sulmin.Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju qe ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyet në mes. Ti del e tregon përralla nëpër media për jetën tënde.

Femra xheloze si puna juaj meritojnë të izolohen në një spital mendor, sepse as sulmet e juaja të dhunshme nuk do të mundin të më shkatërrojnë mua apo jetën time. Femra si puna juaj janë mësuar me jetën e rrugës dhe aq kapacitet keni sa të arrini në veprime të tilla jo njerëzore.

Por mua nuk ma prishni dot identitetin dhe vlerat e mia sepse vij nga një familje me vlera dhe integritet dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë. Do jua çjerr maskën shumë shpejt. Regjistrimet e kamerave janë në dorën e shtetit dhe do të publikohen së shpejti.

Jam mirënjohëse që jam ende këtu dhe se nuk përfundoi më keq. Policia po heton ngjarjen, dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend. Ky sulm nuk do të më ndalojë; përkundrazi, do të më bëjë më të fortë dhe më të vendosur”, ka shkruar Prenga. /Telegrafi/

Exit mobile version