Uragani i skandaleve të dhunës seksuale në botën e artit në Shtetet e Bashkuara zgjerohet gjithnjë e më shumë dhe del përtej kinematografisë.
Një ish-pjesëtare e “Pussycat Dolls” ka deklaruar se në vitet që ajo ishte pjesë e këtij grupi muzikor, bendi i vajzave shërbente si një “rrjet prostitucioni dhe detyroheshin nga shefat e shtëpive diskografike të kryenin seks me ta”.
Kaya Jones i ka bërë këto deklarata shpërthyese në një seri postimesh në Twitter.
“E vërteta ime! Nuk kam qenë ndonjëherë në një grup muzikor të përbërë nga vajza, por në një rrjet prostitucioni. Oh, po ne këndonim dhe ishim të famshme, ndërsa ata që na ‘zotëronin’ bënin paratë”, ishte postimi i parë i saj.
“’Kaq keq ishte?’, më pyesin njerëzit. Ishte aq e tmerrshme sa unë u largova nga ëndrrat, nga mikeshat e mia të bendit dhe nga 13 milionë dollarë”, ka vazhduar ajo më tej, citon Top Channel.
33-vjeçarja shkruan se ka folur për këtë çështje që në vitet 2004, 2005 dhe 2007 dhe se është kërcënuar me jetë dhe me përfundim të karrierës.
Ajo i referohet edhe vetëvrasjes së këngëtares Simone Battle të grupit G.R.L, ngjarje e ndodhur në vitin 2014 dhe thotë se ka qenë pikërisht dhuna seksuale e psikologjike ajo që e ka shtyrë atë në vetëvrasje.
Kaya u bashkua me “Pussycat Dolls” në vitin 2003, kur ishte adoleshente. Në vitin 2005 u largua nga grupi.
Ndërkohë, themeluesja e grupit, Robin Antin, hodhi poshtë pretendimet e 33-vjeçares, duke i quajtur “gënjeshtra qesharake dhe të lemerishme”.
Antin e themeloi bendin e famshëm në vitin 1995 dhe gjatë viteve, përveç saj, të gjitha anëtaret e tjera janë ndërruar. Anëtarja më e famshme e grupit është Nicole Scherzingger.