Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku tha sot se Marrëveshja e Washingtonit nuk është lojë dhe se komunikimi me aleatët, e posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëhet përmes deklaratave e postimeve në rrjetet sociale.
Çitaku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan më tej se Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike.
Një deklaratë e tillë e ish ambasadores Çitaku vjen pasi ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu tha se Marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike.
Lexoni të plotë postimin:
“Për të satën herë: Marrëveshja e Washingtonit, apo zotimet e Washingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh.
Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike.
Para pak ditësh ishte në Kosovë i deleguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Jam e bindur se në takimet të cilat janë zhvilluar ka pasur mundësi që të trajtohen këto shqetësime.
Pastaj, se Administrata e Presidentit Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Shtetit Blinken”. /Telegrafi/