Site icon Telegrafi

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Australi e Zelandë të Re, Sabri Kiçmari i bashkohet Vetëvendosjes

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Australi e Zelandë të Re, Sabri Kiçmari i është bashkuar sot Lëvizjes Vetëvendosje.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, në një shkrim të bërë në Facebook e ka quajtur lajm të mirë aderimin e Kiçmarit në VV.

Ai ka thënë se partia e tij është forcuar dukshëm me aderimin e Kiçmarit, duke shprehur bindjen e tij se VV do t’i fitojë zgjdhjet dhe se do të qeverisin mirë, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë:

“Sabri Kiçmari ka qenë gjithnjë në Lëvizje. Prej sot është edhe në VETËVENDOSJE!. Ky është lajm shumë i mirë për subjektin tonë, shtetin tonë dhe kombin tonë. Për më shumë se një dekadë veprimtar i çështjes kombëtare para se të bëhet përfaqësues politik i UÇK-së. Edhe plot një dekadë tjetër diplomat i dalluar i Republikës së Kosovës, ambasador në Austri, Australi e Zelandë të Re. Ndërkohë autor i pesë librave, dy prej tyre në gjermanisht, dhe i një dyzine artikujsh nëpër revista të ndryshme shkencore.

Sabri Kiçmari është profesor në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet bazë (Grundstudium) i ka mbaruar në Universitetin e Ruhrit në Bochum (Gjermani), Magjistraturën (Magister Artium) në Fakultetin Filozofik të Universitetit Rheinische Friedrich-Wilhelm në Bon (Gjermani), kurse Disertacionin (Ph.D.) në Institutin për Shkencë Politike dhe Sociologji po ashtu të Universitetit Rheinische Friedrich-Wilhelm në Bon. Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, sidomos në Gjermani dhe Austri.

Sabriu është me prejardhje nga Llapi, shkollimin fillor e ka mbaruar në Lladoc, Sfeçël, Podujevë dhe Llapashticë, ndërkaq shkollimin e mesëm në Podujevë dhe Prishtinë.

Sot jemi forcuar dukshëm.
Nesër do të fitojmë bindshëm. Sepse pasnesër do të qeverisim mirë”./Telegrafi/

Exit mobile version