Site icon Telegrafi

Ish-ambasadori amerikan Kirby: Kundërshtimi i Serbisë për pavarësinë e Kosovës e legjitimon pushtimin e Ukrainës nga Rusia

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby ka thënë se kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia është legjitimim i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kirby, i cili shërbeu në Beograd nga viti 2012 deri në vitin 2016, tha se rusët kanë ndikim madh në institucionet më të rëndësishme të Serbisë, si dhe në Partinë Progresive Serbe që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq.

“Duke pasur parasysh kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duket se kjo e fundit e pranon aneksimin e territorit ukrainas nga Rusia, me standarde të dyfishta”, tha Kirby për Zërin e Amerikës.

Ai shton se nga viti 2012 ka pasur një periudhë të distancimit të konsiderueshëm të Qeverisë së Serbisë nga rruga evropiane dhe një kthesë shumë e dukshme drejt Rusisë dhe veçanërisht ndaj Vladimir Putinit.

“Shumë do të pyesin nëse Qeveria e Serbisë është e përkushtuar në rrugën evropiane. Ajo pretendon se është e fokusuar në një të ardhme demokratike. Nëse po, veprimet e saj duket se kundërshtojnë fjalët e saj”, paralajmëron ai, duke kujtuar kohën kur Rusia kreu pushtimin e paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë. /Telegrafi/

Exit mobile version