Telegrafi

Ischinger: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë -Serbi është vonuar, Lajçakut i duhet mbështetje urgjente

Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i vonuar, ndaj thotë se të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian në këtë proces, Miroslav Lajçak, i duhet mbështetje urgjente.

Këtë deklarim Ischinger e ka bërë në rrjetin social Twitter, një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Berlin.

Ish-diplomati gjerman me këtë rast ka falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për “ringjalljen e përpjekjeve për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd”.

“Faleminderit Bundestagut gjerman për ringjalljen e përpjekjeve për të kapërcyer ndarjen midis Beogradit dhe Prishtinës. Kanë kaluar 14 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është i vonuar! Miroslav Lajçak ka nevojë për mbështetje urgjente!”, shkruan Ischinger.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz të mërkurën ka pritur në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin.

Kancelari gjerman fillimisht ka takuar kryeministrin Kurti, takim ky që ka pasuar me mbajtjen e një konference për media, për të vazhduar me takimin dhe më pas konferencën me presidentin serb, Vuçiq./Telegrafi/