Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa sot ua ka përcjellë ambasadorëve të shteteve të Quintit, OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë një letër në të cilën siç thuhet ka sqaruar qëndrimin e LDK-së rreth tendencave të presidentit Hashim Thaçi për zvarritjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, që nga 27 mars 2018, duke e defunksionalizuar tërësisht këtë institucion kushtetues.
Në njoftimin për media thuhet se Mustafa përmes kësaj letre ka sqaruar dhe reaguar ndaj tendencës së Presidentit Thaçi, pa baza ligjore e kushtetuese t’i garantojë koalicionit qeverisës shumicë në KQZ, duke dëmtuar dhe shkelur të drejtat kushtetuese të LDK-së të cilës i takojnë dy anëtarë në KQZ, e jo vetëm një siç pretendon presidenti Thaçi.
Në fund kryetari Mustafa njoftoi se LDK-ja është tejet e vendosur të mbrojë të drejtën e saj për përfaqësim adekuat në KQZ në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe në rast të mos materializimit të kësaj të drejte do ta referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, lidhur me çështjen e përfaqësimin e partive në KQZ kanë reaguar sot edhe nga Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe mos rrënimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, duke emëruar në mënyrë të paligjshme anëtarët e KQZ-së. /Telegrafi/