Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka treguar se përse LDK-ja, vendosi që ta nominoj për kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze”.
Ai gjithashtu ka treguar se edhe Lutfi Haziri është shembull i veprimtarit të LDK-së dhe një lider me të cilin krenohet partia, i cili i dha përkrahje të parezervë Osmanit.
Postimi i plotë:
Qytetarë të nderuar
Vendosim sot, që znj. Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për Kryeministre të Kosovës. Dje, ajo mori përkrahjen e plotë të Kryesisë së LDK-së.
Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze.
Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, poashtu, z. Lutfi Haziri, tani Kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës.
Përkrahjen e sigurt e pres sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. E nesër, nga qytetarët e Kosovës.
Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare. /Telegrafi/