Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka bërë thirrje të mos merret si serioz veprimi i sotëm i presidentit Hashim Thaçi për të shëtitur në Ujman. Sipas tij, seriozisht duhet të merret protesta, si mjet demokratik për ndryshim.
Ish-bashkëpunëtori i Thaçit në PDK e quan rekreacion fundjave, veprimin e sotëm të presidentit në Veri.
Por, ai ka disa fjalë edhe për protestën e sotme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ka kritikuar bojkotin opozitar derisa thekson se nga ky 29 shtator duhet të nxirret mësim i duhur.
Shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
Instrumenti demokratik për ndryshim u dëmtua nga bojkoti opozitar!
Kafeja e Shtërpcës dhe shtija në Ujëman- janë rekreacion i fund javës, mos i merrni seriozisht se çka shkruajnë për kafet e rastit!
Më seriozisht merreni protestën si instrumentin më serioz paqësor të demokracisë për ndryshim! Ka pasur mundësi që protesta të ishte më e organizuar e më serioze, por një pjesë e opozitës nuk është serioze.
Por, kjo opozitë, veç organizatorit nuk e ka në rend të parë ndryshimin, por pushtetin pa ndryshim. Sido që të jetë, bojkoti opozitar e dëmtoi instrumentin demokratik për ndryshim!
Dikush duhet ta nxjerr mësimin e duhur nga protesta e 29 shtatorit 2018!