Të hënën, emra të shumtë nga estrada shqiptare por edhe pronarë të restoranteve kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kërkesat e tyre ishin të qarta: të lejohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare këtë verë, nga ku ata si artistë dhe nikoqirë kanë të ardhurat e tyre nga ushtrimi i këtij profesioni.
Labinot Tahiri, Edona Llalloshi, Afrim Muqiqi, Edi Furra e Alban Mehmeti ishin vetëm disa nga emrat më të njohur që u panë të pranishëm në protestë.
Ata janë përshëndetur edhe nga Ministri aktual i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka premtuar se do të rishikojë mundësinë që kërkesa e tyre të aprovohet.
Mirëpo për ironi të fatit, pikërisht në ditën kur u mbaj protestë për lehtësimin edhe të mëtutjeshëm të masave të pandemisë si lejimi i organizimeve të tilla që përfshijnë turma të mëdha njerësish, Kosova shënoi numrin më të madh të të infektuarve me coronavirus ndonjëherë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi të hënën në mbrëmjes se janë regjistruar 129 raste të reja me coronavirus, ndërsa 10 sosh janë shëruar.
Ky numër shënon shifrën më të lartë të të infektuarve që Kosova ka shënuar ndonjëherë, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, madje edhe gjatë kohës kur shteti ishte totalisht në izolim.
Ndërkohë, organizimet që përfshijnë turma të mëdha njerëzish si festivalet dhe koncertet e njohura nëpër botë, janë anuluar këtë vit në një pjesë të madhe, rreth 80 për qind e tyre. /Telegrafi/