Përdorimi i vaksinës së Oksford-AstraZeneca është pezulluar edhe në Republikën e Irlandës.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Komiteti Kombëtar Këshillues për Imunizimin (NIAC) rekomandoi këtë veprim pas raporteve të rasteve serioze të mpiksjes së gjakut tek të rriturit në Norvegji.
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, ministri irlandez i Shëndetësisë, Stephen Donnelly, tha se ky ishte një “hap paraprak”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës dhe të një rreziku në rritje të zhvillimit të mpiksjes.
Javën e kaluar, Danimarka dhe Norvegjia pezulluan përdorimin e vaksinës.
Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka arsye të ndalet përdorimi i vaksinës nga frika se shkakton mpiksje të gjakut, pasi nuk ka informacion që tregon se kjo është e vërtetë.
Më shumë se 110 mijë doza të vaksinës së AstraZeneca janë administruar në Irlandë, që është rreth 20 për qind e të gjitha dozave të dhëna deri më tani. /Telegrafi/