Telegrafi

Irani pritet të rikthehet në Shqipëri përmes Ambasadës turke

Irani pritet të rikthehet me një seksion për interesim diplomatik në Shqipëri përmes ambasadën turke në Shqipëri.

Teherani në këtë form kërkon të rinis kontaktin diplomatik me Shqipërinë.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, vendimi u mor gjatë një bisede telefonike të shtunën, mes ministrit të jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian dhe homologut të tij turk Mevlut Çavusoglu, ku mes të tjerash u biseduan për një sërë çështjesh dypalëshe dhe rajonale.

Amir-Abdollahian njoftoi se Ministria e Jashtme iraniane ka rënë dakord të hapë seksionin e interesave të Iranit përmes Turqisë në Shqipëri. Ai gjithashtu falënderoi Turqinë për ofertat e mira në këtë drejtim.

Një vendim i tillë vjen disa muaj pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe dëbimit të diplomatëve iranianë nga Shqipëria.

Tirana zyrtare vendosi të mbyllë ambasadën e Iranit në Shqipëri pas sulmit kibernetik që rrëzoi serverët e shtetit shqiptar dhe vodhi të dhënat nga institucionet. Një hetim ndërkombëtar i bërë në bashkëpunim me autoritetet shqiptare provoi lidhjet mes hakerave që rrëzuan sistemet shqiptare dhe shtetit Iranian. /Telegrafi/