Irani ka ndaluar transaksionet me kriptovalutën Bitcoin.
Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Nasser Hakimi, në një bisedë për agjencinë iraniane të lajmeve Tasnim, tha se me vendim të Këshillit Suprem për Luftën kundër Pastrimit të Parave, janë ndaluar transaksionet që bëhen me Bitcoin.
Hakimi i paralajmëroi përdoruesit e kriptovalutës për rreziqet e investimeve që lidhen me transaksionet me përdorimin e Bitcoinit.
“Ndalohet blerja dhe shitja e Bitcoinit në Iran. Meqë luhatjet e Bitcoinit janë jashtëzakonisht të larta, për këtë shkak ajo ka rreziqe të caktuara ligjore. Prandaj, i këshilloj qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve”, tha Hakimi.
Ai rikujtoi se prodhimi i Bitcoinit ende nuk është i ndaluar.
Më parë zyrtarët iranianë njoftuan masa të caktuara kundër atyre që nuk respektojnë ndalesës që vlen për të gjitha llojet e transaksioneve me Bitcoin. /Telegrafi/