E çuditshme për të qenë e vërtetë! Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka kritikuar bllokadën e ngritur ndaj aplikacionit popullor të mesazheve Telegram, nga sistemi gjyqësor i drejtuar nga konservatorët, duke thënë se kjo lëvizje është ‘në kundërshtim të demokracisë’.
Irani bllokoi Telegram-in, i përdorur gjerësisht nga iranianët, media shtetërore, politikanët dhe shumë kompani, në fillim të kësaj jave me argumentin për të mbrojtur sigurinë kombëtare, sipas asaj që thotë televizioni shtetëror, vetëm pak javë pasi një gjë të tillë bëri edhe Rusia.
Irani ka qenë duke diskutuar ndalimin e përdorimit të tij që prej janarit, kur pakënaqësitë mbi situatën ekonomike u përshkallëzuan në protesta në mbi 80 qytete të vendit, të kthyera më pas në demonstrata kundër klerit dhe elitës së sigurisë.
Disa zyrtarë thonë se protestuesit përdorën Telegram-in për të organizuar mitingjet, që gjithsesi u goditën nga Garda Revolucionare dhe milicia vullnetare e lidhur me të Basij. Aplikacioni ishte bllokuar përkohësisht gjatë janarit.
“Dështimi për të ndjekur procedurat ligjore dhe përdorimi i forcës dhe mjeteve juridike është… në kundërshtim me demokracinë”, tha Rouhani, një klerik pragmatik, i cili ka qenë në favor të zgjerimit të lirive sociale.
“Filtrimi dhe bllokimi i Telegramit nuk është ndërmarrë nga qeveria, e cila nuk e aprovon diçka të tillë”, tha më tej ai, i cili prej ardhjes në detyrë ka kundërshtuar edhe kufizimin e qasjes në mediet sociale.
Fuqitë e Rouhanit, gjithsesi janë më të pakta sesa ato të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khameneit, i cili është më afër bindjeve konservatore, e veçanërisht atyre të linjës së ashpër. /Telegrafi/