Një zyrtar i ministrisë së jashtme iraniane, thotë se rënia e çmimit të naftës do t’i dëmtoj vendet e Lindjes së Mesme dhe se vendimi i Arabisë Saudite për të mos e reduktuar prodhimin, është një gabim.
Zëvendësministri i jashtëm, Hossein Amir Abdollahian, i ka thënë agjencisë Reuters gjatë një intervistë të publikuar të enjten, se Teherani shpreson që Arabia Saudite si eksportuesi më i madh i naftës në botë, do të marrë masa për ta ndaluar rënien e mëtejme të çmimit të naftës.
Çmimi i naftës ka rënë më shumë se 50 për qind, që nga qershori i vitit të kaluar.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës e udhëhequr nga Arabia Saudite, ka refuzuar që ta reduktoj prodhimin e naftës, pavarësisht kërkesës së disave prej anëtarëve të organizatës, siç është Irani dhe Venezuela.
Abdollahian ka thënë se Irani në lidhje me këtë çështje, do të diskutoj me Arabinë Saudite, por, nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtyre bisedimeve. /Telegrafi/