Kur vendi nuk është “pastruar” ende nga ekstremistët e ISIS, Iraku rrezikon të përfshihet në një konflikt të ri dhe këtë herë në përmasa edhe me të mëdha se beteja me të ashtuquajturin Shtet Islamik.
Trupat irakiane morën kontrollin e qytetit të Kirkukut në veri të vendit, duke larguar prej andej autoritetet lokale kurde. Transferimi i pushtetit nuk ishte krejtësisht paqësor dhe u raportuan disa përplasja në periferi të qytetit.
Kirkuku është jashtë territorit të administrimit të qeverisë rajonale kurde, por ka një pjesë të madhe të popullsisë kurde, e cila u lejua që të marrë pjesë në referendumin e pavarësisë tri javë më parë.
Votuesit në procesin e mbajtur më 25 qershor mbështetën fuqimisht shkëputjen nga Iraku dhe shpalljen e shtetit kurd. Bagdadi e quan referendumin antikushtetues, ndërsa drejtuesit kurdë thonë se ishte krejtësisht i ligjshëm.
Raportimet thonë se një milici e mbështetur nga Bagdadi ka marrë kontrollin e qytetit Sinjar, në veri-perëndim të provincës Nineveh. Këtu nuk u raportua asnjë incident, pasi Peshmergat kurde u tërhoqën nga zona.
Lidhur me zhvillimet në Irak kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara, që u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe dialog.
“Ne mbështesim ushtrimin paqësor të të drejtës për administrimin dhe qeverisjen e vendit si nga pushteti qendror ashtu edhe nga qeveritë rajonale në Irak, kur kjo bëhet në përputhje me Kushtetutën irakiane dhe në të gjitha zonat e diskutuara”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Izraeli është shteti i vetëm që përkrah dhe ka njohur pavarësinë e Kurdistanit dhe u ka bërë thirrje vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.