Telegrafi

IPK publikon raportin lidhur me pajisjen e stacioneve policore me pajisje për aktivitete operative

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Inspektimeve ka publikuar raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm në fushën “Pajisjet policore në funksion të aktiviteteve operative – administrative”.

Sipas njoftimit për media thuhet se ky inspektim është iniciuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së për të vlerësuar nivelin e pajimit të stacioneve policore me pajisje.

Inspektimi është përqendruar në 41 stacione policore në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike të Departamentit për Operacione të Policisë së Kosovës.

“Inicimi i inspektimit është ndikuar nga nevoja që Policia e Kosovës të sigurohet se stacionet policore janë të pajisura mjaftueshëm me pajisje përfshirë automjetet, matësit e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve, alkootestet, pajisjet e teknologjisë informative, etj. Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për drejtuesit e strukturës policore të angazhuar në shërbimet mbështetëse – logjistike, nivelin mbikëqyrës dhe vendimmarrës”, thuhet në njoftim.

IPK në kuadër të Raportit të inspektimit ka dhënë katër (4) rekomandime për Policinë e Kosovës që kanë të bëjnë me rishikimin e shpërndarjes së automjeteve, shqyrtimin e mundësive për shtimin e kapaciteteve lidhur me disa lloje të pajisjeve, përmirësimin e shërbimeve të printimit – kopjimit nga ana e operatorit ekonomik, mbikëqyrjen e realizimit të shërbimeve të kontraktuara, etj.

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe katër (4) rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së. /Telegrafi/