Site icon Telegrafi

IPK-ja thotë se është duke mbledhur informacione për rastin ku policja shihet duke shkelmuar një vajzë

Inspektorati Policor i Kosovës ka deklaruar se kanë filluar grumbullimin e informacioneve në lidhje me rastin e polices e cila është parë duke ushtruar dhunë fizike ndaj një vajze që duket të jetë e mitur.

Në një përgjigje për Telegrafin nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë thënë se do të ndërmerren të gjitha vendimet tjera në përputhje me misionin ligjor që kanë.

“Inspektorati Policor i Kosovës pas publikimit të videos në fjalë ka filluar të grumbullojë informata lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmirren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Telegrafin.

Ndryshe, nga informacionet e para, Telegrafi kishte raportuar se ngjarja ka ndodhur në Vushtrri.

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë ditës së sotme janë parë në komunën e lartcekur, ku një police prezente shihet duke e goditur një vajzë e cila sipas pamjes në video duket të jetë e mitur.

Në video e cila ka arritur në redaksi të Telegrafit shihet se polici tjetër vetëm qëndron duke e shikuar kolegen.

Nuk dihet se për çfarë arsye janë ndaluar vajzat, e as arsyeja e reagimit të tillë nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu në video shihen edhe kalimtarë të rastit të cilët nuk reagojnë, ndërkaq policja vazhdimisht dëgjohet duke bërtitur, “Ti mu lopë a?”, thotë policja disa herë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version