Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook në faqen e IPK-së thuhet se hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar ditë më herët ku hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se dy zyrtarë policorë (komandanti i stacionit të Prizrenit me gradën e majorit dhe komandanti i nën stacionit policor të Zhurit me gradën e rreshterit) kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik me ç‘rast dyshohet se janë ndryshuar neni dhe paragrafi, pastaj është ndryshuar vlera e gjobës.
“Dyshimet janë se gjatë ndërhyrjes së paautorizuar janë larguar edhe pikët negative të shqiptuara si dhe është revokuar ndalesa për vozitje dhe konfiskimi i patentë shoferit. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, kanë njoftuar nga IPK-ja. /Telegrafi/