Telegrafi

IPK arreston një zyrtar policor në Dragash, suspendon edhe dy epror të tjerë të policisë 

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve, është informuar se në ambiente të stacionit policor në Dragash, deri sa policia e kishte sjellë  jë të dyshuar, policia dhe i dyshuari ishin sulmuar nga disa persona.

IPK bënë të ditur se së bashku me qytetarët që kanë sulmuar të dyshuarin me të cilin kanë pasur konflikt ka qenë edhe një zyrtar policor.

“Ju njoftojmë se IPK menjëherë ka dalë në vendngjarje dhe ka intervistuar palët, është  njoftuar Prokurori Kujdestar (P.TH Prizren) dhe me urdhër të Prokurorit pas intervistimit janë  ndaluar katër të dyshuar (një pjesëtarë i PK-së me gradë zyrtar policor i ri dhe tre persona tjerë civil)”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast, për menaxhim të dobët të rastit dhe dështim në ofrimin e sigurisë së të dyshuarit, me rekomandim të IPK-së janë suspenduar një Toger Policor-Shefi i Hetimeve të Stacionit dhe një Rreshter Policor-Shef i ndërrimit.

“Në vazhdim do të ndërmarrim edhe veprime tjera hetimore”, ka njoftuar IPK. /Telegrafi/