Telegrafi

IPK arreston një zyrtar policor i dyshuar për fajde – rasti ndërlidhet me arrestimet e 17 të tjerëve në muajin shkurt

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor (me gradën e rreshterit) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Fajdes” dhe “Detyrimit”.

IPK është njoftuar nga Policia e Kosovës (policia kufitare) në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (zyrtari policor) i cili ka rezultuar si person i kërkuar.

Zyrtari i dyshuar është arrestuar nga hetuesit e IPK-së kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Fajdes” dhe “Detyrimit”.

Arrestimi i sotshëm është vazhdimësi e hetimit dhe operacionit të datës 22.02.2022 të zhvilluar nga Drejtoria e për Hetime e Krimit të Organizuar në Prishtinë dhe Prokuroria Themelore në Pejë ku u arrestuan 17 persona të dyshuar për veprën penale të fajdes dhe detyrimit.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në fund./Telegrafi/