Interi do të takohet me Al-Nassr dhe PSG gjatë turneut të tyre parasezonal në Japoni, por Simone Inzaghi ka dy probleme të mëdha për të zgjidhur: një në portë dhe tjetrin në sulm.
Nerazzurrët u nisën për në Azi të dielën, por skuadra e Inzaghit ende nuk është kompletuar. Situata e portierit është veçanërisht shqetësuese për trajnerin duke qenë se klubi ende nuk ka nënshkruar zëvendësuesit për Andre Onana dhe Samir Handanovic.
Alessandro Calligaris, Filip Stankovic dhe Raffaele Di Gennaro janë tre portierët e thirrur nga Inzaghi për turin parasezonal në Japoni.
Di Gennaro është një produkt i akademisë së Interit, por u largua nga klubi në vitin 2019 për t’u bashkuar me Catanzaro në një transferim të lirë. Ai u kthye në Stadio Meazza si lojtar i lirë në fillim të kësaj vere pasi kaloi sezonin e kaluar me skuadrën e Serie C, Gubbio. 29-vjeçari është blerja e vetme e re e Interit në portë deri më tani në afatin kalimtar të verës.
Nuk është sekret që Yann Sommer dhe Anatoliy Trubin janë objektivat kryesore të Interit për të zëvendësuar Handanovic dhe Onana, por Beppe Marotta nuk ka arritur ende marrëveshje as me Bayern Munich dhe as me Shakhtar Donetsk. Ish-portieri i Manchester United, David De Gea është përmendur gjithashtu si një përforcim i mundshëm i Interit.
Çështja tjetër për Inzaghin është në anën e kundërt të fushës. Interi pa Edin Dzeko dhe Romelu Lukaku të largoheshin në fund të 2022-23, por ka nënshkruar vetëm me një sulmues deri më tani: Marcus Thuram në një transferim të lirë nga Borussia Monchengladbach.
Sebastiano Esposito, Giovanni Fabbian, Aleksandar Stankovic dhe Giacomo Stabile i janë bashkuar Thuramit, Lautaro Martinez dhe Joaquin Correa në Japoni, por Inzaghi shpresonte se ai mund të kishte një qendërsulmues të ri në kohë për turneun parasezonal.
Pas largimit nga Lukaku, Nerazzurrët kanë folur me agjentët e Alvaro Moratas, por duket se nuk duan të përputhen me klauzolën prej 21 milionë eurosh të sulmuesit. Football Italia raporton se Folarin Balogun i Arsenalit është një tjetër objektiv kryesor transferues për gjigantët e Serie A, i ndjekur nga sulmuesi i Udineses, Beto dhe Gianluca Scamacca i West Ham, i cili kërkohet gjithashtu nga Roma. /Telegrafi/