Site icon Telegrafi

Inzaghi flet para ndeshjes me Realin dhe zbulon mungesat që ka për këtë sfidë

Real Madridi është nikoqir i Interit në kuadër të xhiros së fundit të Grupit D në Ligën e Kampionëve.

Do të jetë një sfidë shumë interesante, pasi dy skuadrat luftojnë për pozitën e parë në grup.

Los Blancos aktualisht kanë 12 pikë në vendin e parë, derisa Interi ndodhet në vendin e dytë me dy pikë më pak.

Trajneri italian i Interit, Simone Inzaghi ka folur para kësaj ndeshje, duke thënë se duan të bëjnë më mirë se në Giuzeppe Meazza ndaj Realit.

“Mendoj se e nesërmja është një ndeshje e rëndësishme për ne. Tashmë e kemi kaluar raundin, njësoj si Real Madrid, por duam të zhvillojmë një ndeshje të shkëlqyer. Ne dolëm shumë mirë në ndeshjen e parë, por nuk ishte e mjaftueshme dhe prandaj duhet të bëjmë diçka më shumë”, deklaroi Inzaghi.

Tutje trajneri italian ka treguar edhe për mungesat që do të ketë për nesër mbrëma në sfidën ndaj Realit.

“Nuk do të jetë Ranochia, Darmian, Satriano dhe Correa, i cili fatkeqësisht pati atë problem të dielën në Olimpico. Më vjen shumë keq sepse sipas mendimit tim ai po rritej. Lautaro është mirë, nuk ka asnjë problem. Për De Vrij dhe Kolarov do të shohim pas stërvitjes”, tha Inzaghi.

Real Madridi pret Interin të martën mbrëma me fillim nga ora 21:00 në Santiago Bernabeu. /Telegrafi/

Exit mobile version