Site icon Telegrafi

Inzaghi: Fitorja ndaj Barcelonës vetëm fillimi për Interin

Simone Inzaghi pohon se nuk ishte krejtësisht një fitore ‘e papritur’ e Interit në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës, por mbi të gjitha ai dëshiron që të jetë ‘fillimi i diçkaje’ në sezonin e tyre.

Nerazzurrët ishin jo favorit këtë ndeshje, pasi humben katër nga gjashtë ndeshjet e fundit të Serie A, kur Barça i kishte fituar të gjashta në të njëjtën periudhë brenda vendit.

Plani taktik funksionoi në mënyrë perfekte, lejoi Blaugranët të zotëronin topin në Giuseppe Meazza dhe të godisnin në kundërsulm, gjë që ndodhi kur Hakan Calhanoglu shënoi një gol të bukur nga distanca.

Ousmane Dembele goditi shtyllën, por në fund Andre Onana kishte shumë pak pritje reale për të bërë.

Pati polemika kur Pedri pa një gol të anuluar për prekje të topit me dorë nga Ansu Fati, më pas Denzel Dumfries dukej se preku topin me dorë brenda zonës, por në fund VAR-i nuk akordoi asgjë në favor të Barcelonës.

“Nuk do të thosha se ishte e papritur. Unë thashë dje se ishte një mundësi e shkëlqyer kundër një prej skuadrave më të mira në botë”, ka thënë fillimisht Inzaghi për Sky Sport Italia pas ndeshjes.

“Luanim me agresivitet, vendosmëri, pasi është e vetmja mënyrë për t’i mundur këta kundërshtarë. Ne e prisnim një kohë të gjatë për këtë, jam i lumtur për tifozët dhe klubin, por ende nuk kemi arritur asgjë, duhet të jetë një natë e mrekullueshme që shënon fillimin e diçkaje”.

“Isha shumë, shumë i zhgënjyer me rezultatin kundër Romës, por jo me paraqitjen. Mbrëmjet si kjo do të na bëjnë mirë, duhet të rikuperojmë energjinë tonë tani dhe kemi terren për t’u rikuperuar në Serie A”.

“Mund të jetë fillimi, por ne duhet t’i japim një ndjenjë konsistencës këtij rezultati dhe performancës tani”.

Lexo po ashtu Xavi i ‘tërbuar’ pas humbjes nga Interi: Vendimet e gjyqtarit ishin vendimtare

Inzaghi ka qenë nën kritika dhe kishte zëra se ai mund të shkarkohej nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe këtë mbrëmje.

“Unë vazhdoj punën time, ka momente që ndodhin dhe e mbaj kokën lart, sepse stafi im, lojtarët dhe klubi kanë bërë gjëra të mëdha gjatë 15 muajve të fundit. Pashë një skuadër që është solide dhe lufton së bashku, përndryshe nuk merr një rezultat të tillë”.

“Jam i lumtur, por këta djem janë të njëjtët që më dhanë dy trofe vetëm disa muaj më parë dhe ata e dinë më shumë se kushdo që tani kemi terren për të plotësuar”, përfundoi trajneri i Interit. /Telegrafi/

Exit mobile version