Ulqini, i cili është një nga top destinacionet turistike në Ballkan, së shpejti do t’i shtohet edhe një hotel super-luksoz.
Ish-hotel Jadran do të marrë pamje krejtësisht të re përmes një investimi mbi 40 milionësh nga kompania e njohur nga Kosova “Royal Company”, me pronar Arbër Kryeziu.
Për realizimin e këtij mega-projekti, të premten në Podgoricë u nënshkrua Aneksi i IV i kontratës, i cili do t’i mundësojë investitorit të fillojë punimet përgatitore.
Hoteli do të jetë një nga më luksozët në bregdetin malazez, i një brendi të njohur globalisht.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit tha se shteti që ai drejton është i hapur për investime.
“Jemi shumë të gëzuar që edhe rajoni e ka një vullnet të cilin e ka Qeveria e Malit të Zi duke integruar investime të ndryshme. Shpresoj që ndërtimi i këtij hoteli do të jetë një vlerë shumë e madhe për qytetin”, u shpreh ai.
E pronari i “Royal Company”, Arbër Kryeziu premtoi se hoteli do të jetë një nga brendet më ekskluzive në botë.
“Nënshkruam Aneksin 4 të kontratës për t’i hapur rrugë investimeve në turizëm në Detin Adriatik në Ulqin, në vendin e ish-hotelit Jadran. Investimi do të jetë së paku 40 milionë euro dhe do të jetë një nga brendet më ekskluzive në botë. Ndaj, falënderoj kryeministrin dhe gjithë Qeverinë e Malit të Zi”, deklaroi Kryeziu.
Ditë historike për Ulqinin atë të nënshkrimit të Aneksit 4 të kontratës e cilësoi kryetari i kësaj komune, Omer Bajraktari.
“Kjo është ditë historike për Ulqinin. Me ketë investim kemi një kthesë historike në zhvillimin e komunës tonë”, tha Bajraktari.
Projekti pritet të finalizohet brenda tri ose katër vjetëve. /Telegrafi/