Telegrafi

Intervistohen nga Policia imami dhe axha i 18-vjeçarit nga Podujeva, shkak deklaratat për hakmarrje

Policia e Kosovës në komunën e Podujevës janë duke i intervistuar kryeimamin e këtij qyteti, Bekim Jasharin, si dhe Rrahim Fejzullahun, axha i të ndjerit, Lulzim Fejzullahu, lidhur me deklaratat për hakmarrje.

Kështu ka bërë të ditur, avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi për Televizionin Dukagjini.

Këta janë duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurve.

Ndryshe, para dy ditësh, me 27 janar , Kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari ka bërë të ditur se familja e të ndjerit, Lulzim Fejzullahut i ka dhënë një muaj besë familjes së dorasit.

“Rrahim Fejzullahu, mixha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu, e nderoj Zotin e Kombin tonë me dhënie të besës (Një muaj nga sot ) për familjen e dorasit. Zoti e mëshiroftë Lulin, e bekoftë familjen e madhe të Rrahimit”, ka shkruar Jashari.

Ndryshe, Lulzim Fejzullahu ka vdekur të shtunën e 20 janarit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohej pasi ishte goditur me veturë e rrahur brutalisht për vdekje nga dy të mitur më 14 janar.

Të miturit A.A dhe E.K dyshohen për vrasje të rëndë dhe janë dërguar në paraburgim.

Ndërkohë, xhaxhai i Lulzimit  ka rrëfyer versionin e tij se si nisi zënka dhe si u rrah brutalisht për vdekje nipi i tij.

Lexo po ashtu Axha i Lulzim Fejzullahut: Besë ka vetëm familja Kadriu, ajo Avdullahu as edhe një minutë

Sipas tij, sherri në mes të Lulzim Fejzullahut dhe dy të miturve dyshohet se nisi te berberi.
Me viktimën të miturit u takuan një ditë pas zënkës, më 14 janar rreth orës 12:00 në mesditë.

“Dyshohet që 18 vjeçari Lulzim Fejzullahu kishte dalë në marketin e lagjes dhe me të parë që dy persona po e përcjellin me një veturë të tipit “Golf 6″, filloi të ikë në këtë rrugë. Të njëjtit persona e goditën e veturë pikërisht para kësaj shtëpie dhe e lanë të shtrirë në tokë.”

Pas kësaj, dy të miturit dolën nga vetura.

“Pasi e kanë rrëzuar me veturë, i kanë hyrë me shipka bejsbolli dy persona, njëri ka sjellë me shkelma (me këmbë) e grushta e tjetri ka sjellë me shipkë (shkop) deri në alivanosje, e kemi dërguar në spital, s’ka pasur shenja të përmirësimit, dje edhe ka ndërruar jetë në orën 15:20 pasdite”, tha xhaxhai i 18 vjeçarit, Rrahim Fejzullahu.

Fejzullahu tregon se nipi kishte mbetur i shtrirë në tokë.

“Pasi e kanë alivanosur, i kanë sjellë sa ka qenë i shtrirë, shipka (shkopinj) të bejsbollit në kokë, asnjë shenjë djali nuk e ka pasur në trup përpos në kokë. Gjakderdhje edhe për veshëve, kafkën e kokës ia kanë thyer, kafkën e krejës ia kanë thyer me stupca (shkopa)”, u shpreh Fejzullahu./RTV Dukagjini/