Në një karrierë që përfshin më shumë se 50 vjet. John Yamrus ka botuar 35 libra (29 vëllime me poezi, dy romane, tri vëllime me jofiksion, dhe një libër për fëmijë). Ai gjithashtu ka botuar rreth tre mijë poezi në revista dhe antologji në mbarë botën. Një libër me poezitë e tij të zgjedhura tash së voni është botuar në gjuhën shqipe në Kosovë. Njihet më së shumti me përkthimet e tij të Hemingwayt, Bukowskit, Ginsbergut, Poundit, Cherkovskit etj. Libri i tij më i fundit është Twenty Four Poems, botuar nga Meat for Tea Press. Intervistën e me Yamrusin e ka bërë poetja Nolche Fox.
Përktheu: Fadil Bajraj
Nolcha Fox: Pse shkruan?
John Yamrus: Pse shkruaj TASH? Unë jam 73 vjeç, send tjetër të hairit nuk mund të bëj. Pse ia pata FILLUAR të shkruaj? Ishte pothuajse e vetmja mënyrë për të takuar vajza. Kjo, dhe fakti që unë jam goxha vetmitar edhe kur isha fëmijë, kur nuk lexoja, më duhej të bëja diçka, dhe (siç thashë) ishte një mënyrë për të takuar vajza dhe e kuptova se isha shumë i mirë në këtë vaki dhe siç dihet njeriu gjithmonë ia mësyn rrugës më të lehtë, apo jo? Rezistenca është më e vogël?
Nolcha Fox: Kur shkruan (e ke ndonjë orar të caktuar, apo si vijnë idetë)?
John Yamrus: Nuk e di nëse është vërtet ndonjë orar i caktuar, por unë rri këtu poshtë – dhoma ime e shkrimit është në bodrum, pranë bibliotekës sime, bash aty ku do të duhej të shkruaja, por nuk e bëj një gjë të tillë. Ajo dhomë është me rafte librash nga dyshemeja deri në tavan në të katër muret dhe është shumë e këndshme …bile aty është edhe një tavolinë, ama për disa arsye, unë shkruaj në dhomën pranë saj, ku kam një tavolinë tjetër dhe gjithçka që më nevojitet …e pra, për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, vij këtu poshtë çdo mëngjes, zakonisht rreth orës 6::30 ose 7:00, dhe ndoshta nuk shkruaj gjatë gjithë kohës, ama të paktën jam këtu poshtë dhe përpiqem.
Nolcha Fox: Mua më duhet shumë kurajo për të shkruar poezi çdo ditë. Çfarë të nxit ty?
John Yamrus: Më parë ishte vera merlot dhe më pas për disa vjet ishte tekilla, ama tash është çfarëdo që të jetë ajo që më ka zemëruar ose ka tërhequr vëmendjen time në njëfarë mënyre. Nëse mendoni për këtë, ma merr mendja se kjo është njëfarë lloj nxitjeje, por përnjëmend futem në siklet për të bërë gjëra me porosi. Kam pasur një mik të vjetër këngëtar të muzikës folk (i cili ka vdekur tashmë) që thoshte për veten e tij: “Unë nuk jam xhuboks, ore.” Ai quhej Bill James dhe ishte një djalë shumë i mirë. Një herë e zuri gjumi në automobilin e tij. Nuk e mbaj mend nëse ishte i dehur apo i droguar, por ai po kthehej nga tregu dhe u skajua mënjanë, dhe derdhi një litër qumësht në automobil dhe nuk e pastroi kurrë, dhe automobili kutërbonte si qenef gjatë gjithë asaj vere, dhe sa herë që ai donte të na çonte diku, ne gjithmonë e refuzonim sepse ai automobil mbante erë shumë të keqe. Megjithatë, ai ishte djalë i mirë dhe këngëtar i mirë. Dhe, ai nuk ishte “kurrfarë xhuboksi” dhe ma thotë mendja se nuk jam as unë.
Nolcha Fox: Më ke thënë se për të qenë i suksesshëm, është e rëndësishme të bësh një gjë për çdo ditë. Cila është lista jote e gjërave për të bërë dhe cili është prioriteti i secilës?
John Yamrus: Në lidhje me shkrimin? Natyrisht, është që të përpiqesh dhe të bësh diçka … ama unë gjithmonë përpiqem ta nxjerr fjalën. Kam kuptuar shumë kohë më parë se për disa arsye të çmendura se botuesve me të vërtetë u pëlqejnë shkrimtarët që përpiqen të shesin librat e tyre … të cilët nuk kanë frikë të bëjnë marketing … e di që kjo gjë tingëllon jashtëzakonisht keq dhe joartistike dhe kundër të gjitha gjërave për të cilat supozohet të jetë një artist, por është e vërtetë … nëse nuk i sheh librat dhe nuk flitet për to, atëherë ato nuk shiten, dhe nëse nuk shiten, ato nuk lexohen, dhe nëse nuk është kështu, atëherë mund të heqësh dorë përgjithmonë nga ato dhe t’i kthehesh merlotit dhe tekillës.
Nolcha Fox: Ti njihesh (sidomos vitet e fundit) për shkurtësinë e poezive tuaja dhe kursimin e fjalëve tuaja. A mund ta elaborosh këtë?
John Yamrus: Pyetjen apo poezitë? Nëse e ke fjalën për poezitë, ato me siguri do të bëhen edhe më të thjeshta dhe më të shkurtra me kalimin e kohës. Dua të them, poezia (sipas përkufizimit) ka të bëjë pothuajse me mjeshtërinë që të thuash sa më shumë që mundesh me sa më pak fjalë. Unë kurrë nuk kam qenë ndonjë shpjegues i madh në poezitë e mia … unë e kam respektuar gjithmonë lexuesin tim duke ditur se ai ose ajo ose cilido përemër që më duhet të përdor është mjaft i zgjuar për të kuptuar se çfarë po them … përnjëmend nuk ka fare nevojë që unë t’ia zbërthej gjërat lexuesit. Në fakt, futja e lexuesit në poezi, duke e bërë atë pjesë të procesit, e ka bërë shkrimin shumë më të lehtë dhe rezultatin përfundimtar shumë më të mirë. Ja një shembull … diçka që shkrova para do dite:
askush
nuk e di
kur është
hera e
fundit
deri
sa
hera
e fundit
të
jetë
e fundit.
A e ke të qartë se çfarë po them? Shumë lehtë do të mund të shkruaja një histori goxha të gjatë, ama është shumë më efektive nëse lexuesi arrin të plotësojë boshllëqet.
Nolcha Fox: Duket se je i bekuar me një sërë ngjarjesh fatlume gjatë karrierës tënde, siç është përkthimi i poezive tua në gjuhën shqipe. Të lutem më trego si ndodhi kjo, dhe si ka ndikuar një gjë e tillë në ty.
John Yamrus: E ke fjalën për librin tim të ri që sapo doli këtë javë në gjuhën shqipe … Poezitë që kullojnë gjak … Mendoj se përkthimi i lirë është diçka si Poezitë në gjak, që nuk është titull i keq për një libër … dhe as që e mbaj mend se si filloi e gjithë kjo gjë. Nuk e mbaj mend se çfarë na bashkoi mua dhe Fadilin (Bajrajn – përkthyesin). Ky është libri im i dytë që ai e ka përkthyer dhe ndoshta kemi kontaktuar njëri-tjetrin përmes disa njerëzve që i kam njohur në Suedi apo Angli … nuk e mbaj mend vërtet dhe tash kjo nuk ka fort rëndësi … ajo që KA rëndësi është se ai është një djalë i mirë dhe unë i besoj atij që të përkujdeset ashtu siç duhet për poezitë dhe të bëjë çfarë duhet të bëjë për t’i parë dhe lexuar.
Nolcha Fox: Të lutem më trego për sfidat tuaja më të mëdha.
John Yamrus: Tash unë jam 73 vjeç dhe nuk kam vërtet ndonjë sfidë … ndoshta ta mbaj veten të motivuar, por deri më tash kjo nuk ka qenë ndonjë problem. Gjithmonë shqetësohesha se ndoshta do të më mbaronin gjërat për të shkruar, ama e kisha gabim për këtë. Tash për tash, duket se ka shumë gjëra për të shkruar, sa duhet ta detyroj veten të ndaloj së shkruari sall që të mund të vazhdoj me gjithçka tjetër që më duhet të bëj gjatë ditës.
Nolcha Fox: Çfarë po shkruan tash?
John Yamrus: Më shumë poezi. Gjithmonë ka më shumë poezi. Dhe siç thashë, unë nuk kam nevojë për nxitje, sepse ato janë gjithmonë aty dhe krejt çfarë më duhet të bëj është që të sigurohem për t’u ulur diku, në ndonjë vend ku do të mund t’i rrëmbej ato nga ajri kur më kalojnë pranë.
Nolcha Fox: A ke ndonjë projekt të ri në mendje, dhe nëse po, cili është ai?
John Yamrus: Epo, më vonë këtë mëngjes më duhet të rregulloj një pjesë të mobileve të lëndinës që sapo morëm, dhe më pas, më duhet të heq qafe jashtëqitjen e qenit në oborr, por mendoj se ti e ke fjalën për ndonjë projekt në lidhje me shkrimin, dhe projekti i ardhshëm është t’i bëj gati poezitë për libër, i cili do të botohet diku rreth 15 nëntorit, por këto poezi janë në proces, edhe pse punoj në to çdo ditë, tash po përpiqem të promovoj librin tim të fundit Njëzet e katër poezi (botuar edhe në shqip me titullin Poezitë që kullojnë gjak – vër. e përkth.) të botuar nga Meat For Tea Press, dhe mos më pyet se si e kanë gjetur atë titull për botim, sepse kam harruar dhe nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se ata janë njerëz të mirë dhe besojnë në mua dhe në atë që po bëj dhe kjo është gjë e mirë. Ajo që është gjithashtu e mirë është që unë po flas me ty sepse ti je argëtuese dhe ndryshe nga të tjerët në gjithë këto vite që të njoh, kam parë që je një nga ato që i kupton gjërat … ti di të shkruash dhe e di se për çfarë bëhet fjalë dhe e di shumë mirë si kryhen punët. Pra, nëse ndonjëherë dëshiron ta bësh këtë përsëri … që sall unë e ti të bisedojmë…krejt çfarë duhet të bësh është të më pyesësh. Sall thuaje një fjalë dhe aty më ke.
/Telegrafi/