Site icon Telegrafi

Intervistë me deputetin Bekë Berisha: AAK-ja nuk do të hyjë në koalicion me partitë e vogla, Haradinaj bartës i listës

Foto: Arkiv

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha në një intervistë për Telegrafin me gazetaren Jehona Hulaj, ka folur për procesin e zgjedhjeve pas vendimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese, si dhe tema tjera.

Berisha në këtë intervistë ka thënë se AAK-ja është e gatshme për zgjedhje dhe se ka nisur përgatitjet.

Bekë Berisha (AAK) gjatë intervistës në Telegrafi.com/ Foto: Ridvan Slivova

“Çka do që vjen nga Gjykata Kushtetuese jemi të detyruar ta respektojmë dhe do të veprojmë ashtu siç e ka paraparë gjykata. Ne gjithmonë e kemi tregu se jemi të gatshëm kur vjen puna për të shkuar në zgjedhje. Po i bëjmë përgatitjet tona, dhe jemi në proces dhe besoj që këto zgjedhje do të shkojnë mirë”, tha Berisha për Telegrafin.

I pyetur se a do të hyjnë në ndonjë koalicion parazgjedhor AAK-ja, Berisha tha se me partitë e vogla nuk do të ketë koalicione kurse me partitë e mëdha është mundësia por ende nuk ka ndonjë vendim.

Ai bëri të ditur se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj do të jetë bartës i listës në zgjedhjet që pritet të mbahen.

“Mundet me ndodh koalicion parazgjedhor por mundet edhe mos me ndodh, ne kemi një vendim që me parti të vogla mos me hy në koalicion. Mundet me ndodh ndonjë koalicion me partitë e mëdha por nuk ka ndodh ende dhe vendim e kemi me shku të vetëm në zgjedhje. Ramush Haradinaj e kemi bartës të listës, për kandidatë të partive tjera kamë respekt për të gjithë”, tha Berisha.

Bekë Berisha (AAK) gjatë intervistës në Telegrafi.com/ Foto: Ridvan Slivova

Deputeti foli sqaroi edhe deklaratën e tij që e kishte dhënë në Kuvendin e Kosovës ku kishte thënë se “vendit i duhet një president që i dhemb trupi nga plagët kur ndërron moti”.

“Që i dhëmb trupi prej plagëve të luftës për lirin e Kosovës dhe kjo nuk është pak. Është thelbësore që kur t’i dhemb trupi prej plagëve për këtë liri, pastaj e din se çfarë duhet me bë, se nuk duhet me nënshkrua gabim e me injoru disa fakte. E kom propozuar dhe qëndroj mbrapa dhe prapë jam i bindur që Ramush Haradinaj kish mujt me përfaqësu më së miri Kosovën edhe në negociata dhe krejt temat”, tha Berisha.

Berisha në këtë intervistë ka folur edhe zgjedhjet komunale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, si dhe për anën tjetër të tij, që njihet si tip sportiv dhe adhurues i madh i kafeve./Telegrafi/

 

Exit mobile version