Portieri i Arsenalit, Petr Cech, ka pasur një rol indirekt në golin e barazimit të Tottenham Hotspurit (2-2) në ndeshjen kundër Juventusit në përballjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Spursat ishin në disavantazh prej dy golash, të cilët i pranuan në nëntë minutat e para të takimit në Torino, mirëpo falë angazhimit të madh, fillimisht e ngushtuan rezultatin me anë të Harry Kane, ndërsa më pas Christian Eriksen i barazoi shifrat me një gjuajtje të lirë që e mashtroi Gianluigi Buffonin.
Megjithatë, vendimi i mesfushorit për ta goditur gjuajtjen e lirë në anën e portierit ishte ndikuar nga një intervenim i mëparshëm i Cech në derbin e Londrës, kur danezi kishte goditur në anën më të largët të portës në raport me portierin.
Kjo ishte arsyeja pse 26-vjeçari këtë herë, nga pozita thuajse e njëjtë, vendosi të godiste në anën më të afërt të portierit dhe topi përfundoi në rrjetë.
“E pata një goditje të tillë në fundjavë kundër Cechut, nuk e zgjodha anën e portierit dhe ai e lexoi. Fatmirësisht këtë herë, shkoi ndryshe”.
“Mirëpo, pata një ndjenjë dhe e pash murin duke lëvizur, dhe mu duk se e pashë duke bërë një hap edhe Buffonin, dhe fatmirësisht ndërrova mendje dhe vendosa për këndin tjetër dhe topi hyri brenda”, ka shpjeguar Eriksen rreth momentit të gjuajtjes së lirë.
A Happy 26th Birthday to Spurs' Christian Eriksen.
Here's his free-kick goal last night against Juventus! 🔥. pic.twitter.com/7Uf6NhSLJd
— Betin (@BetinKenya) February 14, 2018
Edhe portieri i Tottenhamit, Hugo Lloris, e kishte kuptuar se mesfushori e ka ndërruar anën, si rezultat i pritjes fantastike të Cechut në derbin e zhvilluar në Wembley.
“Ai për pak sa nuk shënoi ndaj Arsenalit, por Petr Cech bëri një pritje fantastike. Dhe ndoshta falë asaj gjuajtjeje të lirë, ai e ndërroi anën dhe goditi në anën e portierit dhe kjo rezultoi me sukses!”, ka thënë Lloris. /Telegrafi/