Mediat iraniane kanë bërë me dije ditën e sotme, se një femër muxhahedine, autore e një sulmi vdekjeprurës me bombë në Teheran më 1981, është arrestuar në Shqipëri.
Muxhahedinja, identiteti i së cilës nuk bëhet me dije, mësohet se është përgjegjëse për sulmin me bombë në selinë e Partisë së Republikës Islamike të Iranit, 31 vjet më parë.
Sipas mediave iraniane, arrestimi i saj është kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe së shpejti do të ekstradohet në Teheran.
Zëdhënësi i Policisë së Iranit, Saeed Montazer-al-Mahdi, ka thënë se e arrestuara i përkiste Organizatës terroriste Mojahedin-e Khalq (MKO), transmeton Koha.net.
Gjenerali Montazer-al-Mahdi ka thënë se arrestimi i saj është bërë pasi ajo ishte vënë në Njoftimin e Kuq të Interpolit, një urdhërarrest i cili ndërmerr masa urgjente për gjetjen e vendndodhjes dhe arrestimin e atij personi të kërkuar nga një juridiksion gjyqësor apo një tribunal ndërkombëtar me qëllim ekstradimin e tij apo saj, raporton agjencia e lajmeve iraniane, “AhlulBayt”.
Më 28 qershor, 1981, një bombë e fuqishme shpërtheu në selinë e Partisë së Republikës Islamike të Iranit në Teheran, derisa anëtarët e saj po mbanin një takim.
Atë kohë ishte theksuar se prapa sulmit terrorist qëndronte organizata MKO.
Në atë shpërthim mbetën të vdekur 72 zyrtarë iranianë, përfshirë Kreun e Drejtësisë, Ayatollah Mohammad Beheshti, katër ministra të kabinetit, 27 anëtarë të parlamentit dhe disa zyrtarë tjerë qeveritarë.
Grupi terrorist është përgjegjës edhe për vrasjen e mijëra civilëve dhe zyrtarëve iranianë pas fitores së revolucionit islamik më 1979.
Më shumë se 17,000 iranianë, shumë prej tyre civilë, janë vrarë nga duart e MKO-së në akte të ndryshme terrorizmi përfshi bombardime në vende publike dhe vrasje të paramenduara.