Agjentja dhe gruaja e Mauro Icardit, Wanda Nara, njoftohet se do të takohet nesër (e premte) me drejtuesit e Interit për bisedime rreth kontratës së re.
Javëve të fundit ka pasur shumë thashetheme dhe deklarata nga akterë të ndryshëm rreth rinovimit të kontratës.
Gruaja dhe agjentja e Icardit, Wanda Nara ka deklaruar se drejtuesit e klubit nuk janë të gatshëm të ofrojnë kushtet që sulmuesi argjentinas kërkon dhe mund të ndodh largimi.
Në anën tjetër, drejtuesit e Nerazzurrëve vazhdimisht kanë raportuar se rinovimi i kontratës do të ndodh dhe tifozët nuk duhet të shqetësohen.
Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, të dy palët do të takohen përfundimisht ballë për ballë të premten për të folur lidhur me rinovimin e Icardit.
Megjithëse sulmuesi ka të mbetura edhe dy vjet e gjysmë në marrëveshjen e tij të tanishme, klauzola e lirimit prej 110 milionësh eurosh i lë Nerazzurrët të pambrojtur ndaj humbjes së kapitenit të tyre.
Për më tepër, Nara e ka bërë të qartë se burri i saj kërkon rritje të ndjeshme page, e cila synohet të jetë nëntë milionë euro.
Në anën tjetër, drejtuesit e Interit janë shprehur të gatshëm të ofrojnë deri në 7.5 milionë euro në vit dhe gjatë ditës së nesërme pritet të ketë të reja tjera në lidhje me këtë çështje. /Telegrafi/