Rezultatet negative të gjashtë ndeshjeve të fundit, duket se kanë përcaktuar përfundimisht të ardhmen e Stefano Piolit, larg pankinës zikaltër.
Inter është në kërkim të një trajneri të ri, për t’i besuar projektin e ringritjes së klubit dhe Stefano Pioli nuk ka bindur aspak, pasi ka dështuar në të gjitha përballjet me ekipet e mëdha italiane.
Dëshira e “Suning” është Antonio Conte ose Diego Simeone, por asnjëri prej tyre nuk duket i gatshëm të vijë në krye të Interit këtë sezon, ndaj sytë janë hedhur nga Luciano Spalleti. Trajneri aktual i Romës është kërkuar nga Inter edhe kur drejtonte Zenitin, por siç raportojnë mediat italiane, palët tani janë më pranë se kurrë.
Gjithsesi, krahas trajnerit, drejtuesit e Interit kanë hedhur sytë edhe te dy dhe tre futbollistë të verdhekuqve. Mbrojtësi grek Kostas Manolas duket pranë zikaltërve dhe mesfushori holandez Kevin Strootman pëlqehet gjithashtu shumë, por ditët e fundit ka dalë në skenë një emër i madh, transmeton TCh.
Bëhet fjalë për mesfushorin dhe kapitenin e Romës Daniele De Rossin, i cili është duke negociuar rinovimin e kontratës me klubin kryeqytetas, por palët nuk kanë akoma akord për kohëzgjatjen.
Inter duket i gatshëm t’i ofrojë De Rossit një kontratë dy vjeçare, me një pagë prej 5.5 milionë eurosh në sezon, për ta bindur të transferohet në Milano. De Rossi është një emër i madh në futbollin italian e ndërkombëtar dhe Inter shikon te ai, futbollistin e duhur për të sjellë eksperiencë dhe karakter në ekip.
Kur kanë mbetur edhe katër javë nga fundi i kampionatit, tregun e Serise A ka filluar të ndizet dhe premton surpriza.