Interi e ka dërguar ofertën e parë konkrete drejt Atletico Madridit për shërbimet e Alvaro Moratas – bën të ditur SportItalia.
Nerazzurrët janë në treg për një sulmues pasi kanë hequr dorë nga Romelu Lukaku, i cili e ka hidhëruar klubin pas bisedimeve me Juventusin.
Në listë janë disa emra, ndërsa në mesin e tyre është edhe Morata, për të cilin është raportuar se ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Romën.
SportItalia njofton se Interi ka ofruar 15 milionë euro për spanjollin që është rreth pesë milionë euro më pak se çmimi i raportuar i tij.
Raportimet në media janë të ndryshme në lidhje me klauzolën për prishjen e kontratës së 30-vjeçarit. Burimet nga klubi kanë thënë se ai mund të largohet për 20 milionë euro, mirëpo përfaqësuesit e lojtarit thonë se kanë një dokument që e lejon të largohet për rreth 10 apo 11 milionë euro. /Telegrafi/