Interi qysh tani ka filluar të mendoj për sezonin e ardhshëm, ku qëllimi është të afroj futbollistë me kosto të ulët.
Neroazzurët kanë në listë dy emra të futbollistëve kontratat e të cilëve skadojnë në verën e vitit 2024 dhe ata ende nuk kanë rinovuar me klubet e tyre.
Në krye të listës qëndron mesfushori çek Tomas Soucek i cili ka tre vite e gjysmë që po shkëlqen në Ligën Premier me fanellën e West Ham.
28-vjeçari mbetet i lirë në fund të sezonit, derisa pëlqehet shumë nga drejtuesit e Interit.
Soucek edhe këtë edicion po paraqitet mjaftë mirë, ku në 10 ndeshje ka realizuar katër gola si mesfushor defensivë.
Emri tjetër në listën e gjigantit italian është sulmuesi nigerian Kelechi Iheanacho.
Reprezentuesi i Nigerisë e ka nisur mjaftë mirë këtë edicion në Championship te Leicester City, ku në 13 ndeshje ka realizuar pesë gola e ka asistuar në dy të tjerë.
Neroazzurët kanë kontaktuar agjentët e futbollistit dhe janë të gatshëm që pas janarit të nënshkruajnë një parakontratë në mënyrë që ai t’iu bashkohet si i lirë në verën e vitit 2024. /Telegrafi/