Telegrafi

Interi planifikon transferimin e dyshes së Napolit

Interi thuhet se është i gatshëm të nënshkruajë me sulmuesin Arek Milik në janar ose në fund të sezonit, ndërsa ka vënë sytë edhe te mbrojtësi Nikola Maksimovic, i cili gjithashtu mund të largohet nga Napoli si lojtar i lirë.

Kontrata e të dy lojtarëve të Napolit skadon në fund të sezonit dhe sipas Tuttosport, Interi është i gatshëm të nënshkruajë me të dy.

Milik është një shënjestër prej kohësh e Nerazzurrëve dhe sulmuesi polak është i destinuar të largohet nga Napoli në afatin kalimtar të janarit pasi ai është lënë jashtë listave të skuadrës për Serie A dhe Ligën e Evropës.

Lexo po ashtu Interi vazhdon të ketë objektiv tre lojtarë të Chelseat dhe Milikun

Interi, megjithatë, nuk dëshiron të shpenzojë shumë për një lojtar i cili do të linte klubin e tij falas në fund të sezonit dhe mund të ofrojë një marrëveshje shkëmbimi me Matias Vecino në janar.

Rino Gattuso raportohet të jetë një admirues i madh i mesfushorit uruguaian, i cili gjithashtu mund t’i ofrohet Torinos në këmbim të Armando Izzo.

Antonio Conte, në fakt, po kërkon të nënshkruajë një qendërmbrojtës të ri dhe një emër tjetër në agjendën e Nerazzurrëve është Nikola Maksimovic, kontrata e të cilit skadon në qershor. /Telegrafi/