Site icon Telegrafi

Interi pa dy yjet e skuadrës në udhëtimin e vështirë te Fiorentina

Interi ka fituar Superkupën e Italisë, derisa në fundjavë do të rikthehet për t’i luajtur ndeshjet në kampionatin italian Serie A.

Në sfidën e radhës, të besuarit e trajnerit Simone Inzaghi do të kenë një duel shumë të vështirë pasi luajnë në udhëtim te Fiorentina.

E trajneri italian Simone Inzaghi është me kokëdhimbje për këtë takim, pasi nuk do t’i ketë dy futbollistë shumë të rëndësishëm.

Lexo po ashtu Inzaghi tregon sekretin e rekordeve të vendosura te Interi dhe në Superkupën e Italisë

Kështu mesfushori turk Hakan Calhanoglu dhe ai italian Nicolo Barella kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të udhëtojnë me skuadrën drejt Firences, duke bërë që nga treshja e titullarëve të mbetet vetëm Henrik Mkhitaryan.

Calhanoglu mori karton të verdhë në udhëtim ndaj Monzës, duke plotësuar numrin, ndërsa Barella u ndëshkua për protestë në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Napolit.

Lexo po ashtu Trofeu i parë për vitin 2024: Interi gjen fitoren në frymën e fundit, Lautaro ‘hero’ i Nerazzurrëve

Me mungesën e dy yjeve të skuadrës, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani dhe ai italian Frattesi pritet të zëvendësojnë dy futbollistët në fushë, në një sfidë mjaft delikate për zikaltrit, të cilët do të kërkojnë të marrin fitoren për të mos humbur terren ndaj Juventusit, një javë para derbit të Italisë.

Pikërisht në këtë sfidë, të planifikuar për më 4 shkurt, Simone Inzaghi do të mund të rikthejë në fushë si Barellën, ashtu edhe Calhanoglu, të cilët do të kenë mundësi të çlodhen për më shumë se 10 ditë për të qenë në formë optimale në derbin ndaj Juventusit. /Telegrafi/

Exit mobile version