Telegrafi

Interi ndalet në shtëpi nga Fiorentina, bie në pozitën e tretë

Inter - Fiorentina (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Interi dhe Fiorentina kanë luajtur baras 0-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të në Serie A.

Ekipi i Antonio Contes ka barazuar edhe njëherë, kësaj radhe në shtëpi ndaj klubit Viola, pas barazimit në ndeshjen e fundit në udhëtim te Roma.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët patën edhe raste të mira shënimi, por pa arritur t’i konkretizojnë.

Rasti më i mirë i takoi Romelu Lukakut (18’), i cili goditi shtyllën, ndërsa në minutën e 34-të u ndalë nga portieri mysafirë.

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Interit që sulmonte në kërkim të golit të fitores.

Megjithatë, edhe përkundër rasteve të shumta, portat mbeten të paprekura dhe ndeshja përfundoi baras 0-0.

Pas këtij barazimi, Interi ka 73 pikë në vendin e tretë, ndërsa Fiorentina renditet e 11-ta me 43 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Nerazzurrët udhëtojnë te Genoa, ndërsa Viola udhëton te Roma. /Telegrafi/