Site icon Telegrafi

Interi mposht Getafen dhe kalon në çerekfinale të Ligës së Evropës

Inter (Foto: Lars Baron/Getty Images/Guliver)

Interi ka kaluar në çerekfinale të Ligës së Evropës pasi ka mposhtur Getafen me rezultat 2-0 në ndeshjen e vetme mes këtyre dy skuadrave në fazën e 1/8-tës.

Ekipi i Antonio Contes ka arritur të kalojë në raundin tjetër të Ligës së Evropës, pasi një fitore jo të lehtë në Gelsengirschen të Gjermanisë.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë dhe me dy fytyra, pasi fillimi i takoi klubit spanjoll, ndërsa fragmenti i dytë i takoi Interit që gjeti edhe golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 33-të dhe ishte Romelu Lukaku, i cili shënoi një gol të bukur për 0-1 pas asistimit të Alessandro Bastonit.

Në pjesën e dytë, Nerazzurrët ishin më të mirë dhe më kërkues, por nuk e patën fitoren në duar në asnjë moment të ndeshjes deri në fund.

Getafe ishte i afër të barazonte shifrat në minutën e 75-të, por Jorge Molina, gjuajti jashtë nga pika e bardhë.

Në minutën e 83-të, Interi shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë dhe arriti të gjej golin e dytë me anë të Christian Eriksen, i cili shënoi për 2-0 pas dy minutave që u inkuadrua në lojë.

Deri në fund të ndeshjes, Getafe tentoi ta ngushtojë epërsinë apo edhe ta bëjë befasinë, por Interi e menaxhoi mirë lojën dhe fitoi në fund me rezultat 2-0.

Në çerekfinale, Interi do të ndeshet me fituesin e duelit mes Bayer Leverkusenit dhe Rangers, ku takimi i parë është fituar nga gjermanët me rezultat 3-1. /Telegrafi/

https://twitter.com/thefoot_s/status/1291098062274867201

https://twitter.com/D9INE_FOOTBALL1/status/1291110322531479552

https://twitter.com/D9INE_FOOTBALL1/status/1291112237726236672

 

 

Exit mobile version