Telegrafi

Interi interesohet për Allegrin – Conte afër largimit nga Giuseppe Meazza

Mediat në Itali këtë fundjavë raportojnë se Interi është i gatshëm t’i marrë shërbimet e Max Allegrit nëse ndajnë rrugët me Antonio Conten në fund të sezonit.

Nerazzurët kanë të sigurt vetëm një vend në Ligën e Kampionëve, por gara e tyre për titullin është shkatërruar javët e fundit, duke lëshuar pikë kundër Sassuolos, Bolognas dhe Veronas.

Tani, SportMediaset dhe Tuttosport paralajmërojnë se Conte mund të largohet nga klubi, nëse ai nuk mbështetet sa duhet në tregun e transferimeve në këtë verë.

Me Allegrin që është ende i pa punë dhe i disponueshëm për të drejtuar një skuadër, ai konsiderohet favoriti për të zëvendësuar 50-vjeçarin.

Ish-trajneri i Milanit mori drejtimin e Juventusit në verën e vitit 2014 pasi Conte u largua, duke përmendur gjithashtu një mungesë të mbështetjes financiare me atë rast.

Ai gjithashtu ka një raport të shkëlqyeshëm me drejtorin e përgjithshëm të Nerazzurrëve, Beppe Marotta nga koha e tyre së bashku te Zonja e Vjetër.

Allegri do të bëhej vetëm trajneri i tretë në histori që ka drejtuar Juventusin, Milanin dhe Interin pas Giovanni Trapattoni dhe Alberto Zaccheroni. /Telegrafi/